Profesori universitar Nexhmedin Spahiu ka shprehur shqetësimin se miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është në interes të Kosovës. Ai theksoi se ky ligj nuk do t’i ndihmojë ish-krerët e UÇK-së, të cilët janë dënuar në shkallën e parë në Hagë. Në emisionin “InfoNata” në Tëvë1, Spahiu vuri në dukje se procedimi i këtij ligji mund t’i përkeqësojë edhe më shumë situatën e atyre që janë të akuzuar dhe gjithashtu ta dëmtojë imazhin e Kosovës si një shtet serioz.
Spahiu kritikoi ashpër Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke theksuar se me këtë ligj, partia nuk po ndihmon të akuzuarit në Hagë dhe, për më tepër, po dëmton veten. Ai theksoi se pasojat politike mund të përfshijnë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten, nëse ligji miratohet dhe nënshkruhet. “Me këtë ligj PDK nuk i ndihmon ata në Hagë, e rëndon vetveten, nuk i ndihmon Kosovës. E vetmja gjë çka mund të arrijnë nëse e shtyjnë këtë ligj, është me ‘ngul’ edhe Albin Kurtin dhe nëse bëhet e merr përgjegjësinë, e merr edhe presidentja kur e nënshkruan,” shprehu Spahiu. Ai theksoi se është e domosdoshme që partitë politike të mendojnë për pasojat e veprimeve të tyre dhe të veprojnë në përputhje me interesat e vendit.

