Komisionerja për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka prezantuar raportin e progresit për vendet kandidate, duke përfshirë Shqipërinë. Gjatë fjalës së saj, ajo theksoi se vendi ka ndërmarrë disa reforma dhe deri më tani ka mbyllur katër kapituj të negociatave.

Kos theksoi se Shqipëria ka ambicien për të vazhduar me mbylljen e kapitujve të tjerë, por për të arritur këtë qëllim është e nevojshme të ketë progres të dukshëm në disa fusha kyçe. Ajo rikujtoi se një nga objektivat kryesore të Shqipërisë është përfundimi i negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027.

“Shqipëria ka treguar angazhim për procesin e integrimit. Janë bërë disa reforma. Shqipëria ka mbyllur 4 kapituj dhe po synon të mbyllë edhe kapituj të tjerë. Do të duhet të shohim progres në fusha kryesore. Kjo është e rëndësishme për Shqipërinë të përmbushë synimet për të mbyllur negociatat deri në 2027”, deklaroi Marta Kos.

Komisionerja e BE-së theksoi si prioritete forcimin e shtetit të së drejtës, garantimin e pavarësisë së gjyqësorit, lirinë e medias dhe çështjet mjedisore. Ajo theksoi se “shteti ligjor dhe gjyqësori i pavarur, media e lirë janë me rëndësi; çështjet e mjedisit janë prioritet. Këto janë jo vetëm për integrimin, por edhe për shqiptarët dhe jetën e tyre. Përfshirja e shoqërisë është jetike për të siguruar një proces të suksesshëm”.