Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë në Facebook pamje dhe detaje nga një takim me një grup studentësh, të cilin e ka përshkruar si një dialog inkurajues me të rinjtë që besojnë në protesta dhe jo në dhunë. Rama ka publikuar dy postime në lidhje me këtë takim, një prej të cilëve u ndanë mbrëmjen e së premtes, ndërsa tjetri mëngjesin e sotëm. Në postimin e parë, kryeministri e përshkroi bisedën si një “dialog inkurajues me studentë që besojnë në protesta, jo te gurët”. Ai theksoi se kishte gjetur pajtim me studentët për një pjesë të konsiderueshme të shqetësimeve të shtruara, duke e përmbyllur mesazhin me shënimin “Vijon…”.
Në postimin e dytë, Rama ndau një videokartolinë nga takimi, duke bërë të ditur se ishte arritur një marrëveshje me studentët që debati mes tyre të mos bëhej publik për momentin, por vetëm pamjet nga biseda. Kryeministri gjithashtu falënderoi Sara Bodon për drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, duke e vlerësuar atë si një institucion që ka arritur të tërheqë vajza e djem pa dallim bindjesh. Rama përfundoi postimin duke u uruar ndjekësve një fundjavë të qetë, duke shkruar: “Mirëmëngjes dhe me një videokartolinë nga dialogu me studentë që besojnë në protesta, jo te gurët, me të cilët ramë dakord të mos e publikojmë hëpërhë debatin, po vetëm pamjet, si edhe me falënderimin për Sara Bodon që e ka kthyer Agjencinë Kombëtare të Rinisë në një magnet për vajza e djem pa dallim bindjesh, ju uroj fundjavë të qetë.”

