Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas raportimeve lidhur me një takim të pretenduar mes minsitrit Toni Gogu dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit.

Sipas Këlliçit, gjatë takimit, Gogu i ka përcjellë Veliajt një mesazh në emër të kryeministrit Edi Rama, përmes të cilit ky i fundit i kërkonte të hiqte dorë nga Bashkia e Tiranës, në të kundërt do të përballej me SPAK-un dhe do të përfundonte në burg.

Nënkryetari i PD-së e cilësoi këtë një ofertë mafioze dhe shantazh të pretenduar nga kryeministri ndaj ish-bashkëpunëtorit të tij politik. Ai kërkoi gjithashtu që Toni Gogu të japë sqarime të plota për takimin dhe mesazhin që, sipas pretendimeve të Plarent Ndrecës, i është përcjellë Veliajt.

Këlliçi kujtoi edhe përplasjet e mëparshme të Partisë Demokratike me Erion Veliajn, duke deklaruar se opozita e ka kundërshtuar atë përmes protestave dhe kallëzimeve në SPAK, ndërsa theksoi se, pavarësisht kësaj, të drejtat themelore të tij duhet të respektohen.

Në reagimin e tij, Këlliçi drejtoi akuza edhe ndaj SPAK-ut, duke pretenduar se institucioni përdoret nga Edi Rama si instrument për të goditur kundërshtarët politikë dhe për të zgjidhur konfliktet brenda Partisë Socialiste. Ai e lidhi këtë pretendim edhe me çështjet që, sipas tij, kanë prekur Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, Sali Berisha.