Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar nevojën për të ruajtur fokusin te reformat kyçe. Kos u shpreh në Parlamentin Evropian gjatë prezantimit të paketës së zgjerimit të BE-së, ku bëri të ditur se Shqipëria ka mbyllur tashmë katër kapituj negociues dhe synon të mbyllë përkohësisht edhe kapituj të tjerë, me objektivin për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027.

Deklaratat vijnë në një kohë kur Shqipëria po përballet me protesta kundër qeverisë, ku përveç akuzave për korrupsion dhe kërkesash për përgjegjësi politike, në qendër të debatit publik janë edhe funksionimi i institucioneve dhe sundimi i ligjit. Në këtë kontekst, Kos nënvizoi se respektimi i të drejtave themelore, mbrojtja e lirisë së medias dhe garantimi i një gjyqësori të pavarur duhet të qëndrojnë në qendër të çdo përpjekjeje për reforma.

Komisionerja theksoi gjithashtu rëndësinë e çështjeve mjedisore si prioritet për Shqipërinë, duke shtuar se këto reforma nuk janë të domosdoshme vetëm për përmbushjen e kriterëve të anëtarësimit, por edhe për shoqërinë dhe qytetarët shqiptarë. Ajo theksoi se përfshirja e të gjithë shoqërisë është thelbësore për suksesin e procesit të integrimit, dhe se zgjerimi i BE-së synon të sjellë më shumë paqe, siguri dhe prosperitet në Union.

Marta Kos përmendi se, megjithëse Shqipëria ka shënuar përparim në negociata, sfidat lidhur me reformat duhet të adresohen për të ecur drejt objektivit të anëtarësimit. Ky vlerësim vendos theksin në nevojën për implementim të qëndrueshëm të reformave për të avancuar procesin e integrimit.

#Shqipëria #BE #integrimi