Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka shprehur shqetësime lidhur me projektligjin për Akademinë e Drejtësisë, duke vlerësuar se ai mund të cenojë pavarësinë institucionale të këtij institucioni. Përmes një postimi, Tahiri ka theksuar rëndësinë e rolit të Akademisë në ndërtimin e kapaciteteve profesionale të sektorit të drejtësisë, veçanërisht për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
Ai ka theksuar se Akademia duhet të ketë kapacitete të mjaftueshme për zhvillimin e programeve moderne dhe cilësore të trajnimit, duke ruajtur njëkohësisht pavarësinë institucionale. “Akademia e Drejtësisë duhet të jetë një institucion i fortë dhe profesional i trajnimit. Ajo duhet të ketë kapacitete të mjaftueshme për të zhvilluar programe moderne, cilësore dhe të përshtatura me sfidat e kohës, në mënyrë që të ndihmojë sektorin e drejtësisë të ecë përpara në reformat e veta. Por, po aq e rëndësishme është që Akademia ta ruajë pavarësinë e saj institucionale si agjenci”, ka shkruar Tahiri.
Deputeti ka vlerësuar se projektligji ngre shqetësime serioze për cenimin e kësaj pavarësie dhe ka kërkuar që rekomandimet e Komisionit të Venecias të merren parasysh dhe të përfshihen në ligj. “Nga ajo që kam parë, ky projektligj ngre shqetësime serioze për cenimin e kësaj pavarësie. Prandaj, është thelbësore që rekomandimet e Komisionit të Venecias të merren parasysh dhe të përfshihen në ligj”, ka shtuar ai.
Në përfundim, Tahiri ka vënë në dukje se reforma në drejtësi nuk mund të ndërtohet duke dobësuar institucionet që kanë për detyrë ta mbështesin atë: “Reforma në drejtësi nuk mund të ndërtohet duke dobësuar institucionet që duhet ta mbështesin atë”. #AkademiaeDrejtësisë #ReformaNëDrejtësi #BesnikTahiri

