Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për nivelin e ulët të realizimit të investimeve kapitale, duke bërë publike shifrat për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Përmes një postimi në “Facebook”, Hoti ka bërë të ditur se nga 1.02 miliardë euro të planifikuara për investime kapitale, janë shpenzuar vetëm 377 milionë euro, ose rreth 37 për qind, ndërsa 643 milionë euro kanë mbetur të parealizuara.

Hoti ka theksuar se në shumën e shpenzuar përfshihen edhe 82 milionë euro të paguara në bazë të vendimeve gjyqësore. Sipas tij, kjo nënkupton se vlera reale e investimeve kapitale të realizuara përbën 295 milionë euro. Ai po ashtu ka publikuar të dhëna të detajuara për nivelin e realizimit sipas ministrive, ku vërehen dallime të mëdha në përqindjet e shpenzimit të buxhetit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Hoti, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ka realizuar asnjë për qind të investimeve të planifikuara, ndërsa Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare ka realizuar vetëm 1 për qind. Ministria e Ekonomisë ka realizuar 9 për qind, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës 11 për qind, ndërsa Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga 15 për qind.

Po ashtu, përqindje të ulëta regjistrohen në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë me nga 24 për qind, në Ministrinë e Mbrojtjes me 29 për qind dhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit me 35 për qind. Hoti vlerëson se këto të dhëna dëshmojnë për nivelin e ulët të realizimit të investimeve kapitale gjatë gjysmës së parë të vitit. #investime #buxheti #Kosova