Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka adresuar mesazhe të qarta për qeverinë shqiptare gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama. Ajo prezantoi gjetjet e raportit vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë, ku theksoi disa nga sfidat dhe përparimet e vendit në procesin e integrimit në BE.

Sipas diplomates europiane, Shqipëria ka bërë përparim në disa aspekte, por korrupsioni, veçanërisht në nivele të larta, mbetet një problem i rëndësishëm që kërkon angazhim të vazhdueshëm nga institucionet e drejtësisë. Ajo theksoi nevojën për reforma që forcojnë sistemin e drejtësisë, duke përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit në nivele të larta.

Një tjetër çështje e rëndësishme që u ngrit nga ambasadorja ishte funksionimi i demokracisë dhe klima politike në Shqipëri. Ajo vuri në dukje polarizimin e thellë politik, mbikëqyrjen e kufizuar parlamentare ndaj qeverisë, si dhe mungesën e konsultimeve kuptimplota. Kjo e çoi Moreira de Sousa të theksojë se reforma zgjedhore është urgjente dhe që procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës, përfshirë aktorë të tjerë përveç dy partive kryesore politike.

“Dje KE miratoi raportin vjetor për Shqipërinë, të cilin unë sapo ia dorëzova kryeministrit, ndërsa më herët ia dorëzova Presidentit. Mesazhi i raportit është i thjeshtë, Shqipëria ka ecur përpara. Sa i përket korrupsionit dhe krimit, raporti evidenton progres të mirë, përpjekjet e SPAK duhet të vijojnë sepse korrupsioni mbetet sfidë reale. Çdo reformë duhet të mbështetet në reformën në drejtësi për forcimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë, përfshirë hetimet dhe ndjekjet e rasteve të korrupsionit në nivele të larta. Sa i përket demokracisë, raporti vë në dukje një klimë thellësisht të polarizuar, mbikëqyrje të kufizuar parlamentare ndaj qeverisë dhe mungesë kuptimplota të konsultimeve. Reforma Zgjedhore është urgjente. Kjo kërkon proces gjithëpërfshirës që shkon përtej dy partive kryesore,” tha ajo.