Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me një grup studentësh në Pallatin e Brigadave, në një kohë kur në Tiranë vazhdojnë protestat kundër qeverisë. Gjatë këtij dialogu, Rama u shpreh se ai dëshiron të inkurajojë një formë proteste pa dhunë, duke theksuar se studentët e pranishëm besojnë te protesta dhe jo te përdorimi i gurëve.

Rama publikoi disa pamje nga ky dialog në rrjetet sociale, ku njoftoi se me studentët është rënë dakord që debati të mos publikohet për momentin, por vetëm pamjet nga biseda. “MIRËMËNGJES dhe me një videokartolinë nga dialogu me studentë që besojnë te protesta, jo te gurët, me të cilët ramë dakord të mos e publikojmë hëpërhë debatin po vetëm pamjet,” shkroi ai.

Kryeministri e përshkroi bisedën si një ‘dialog inkurajues’ dhe falënderoi Sara Bodon për punën e saj në Agjencinë Kombëtare të Rinisë, të cilën e cilësoi si një ‘magnet për vajza e djem pa dallim bindjesh’. Ai la të kuptohej se ky komunikim do të vazhdojë, duke shtuar “To be continued…”. Kjo bisedë erdhi pas një sërë ftesash të Ramës për dialog me studentët dhe qytetarët, në kuadër të kërkesave të tyre ndaj qeverisë, ku kërkesa kryesore është dorëheqja e tij.