Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka shprehur kritika të ashpra mbi mënyrën se si po organizohet përcjellja e Jakup Krasniqit gjatë qëndrimit të tij në Kosovë. Ai e vlerëson se përfaqësuesit e Gjykatës Speciale po veprojnë me arrogancë, duke anashkaluar rolin e institucioneve vendore.
Duke folur në emisionin “Politiko” në Kanal10, Limaj theksoi se përfaqësuesit e Hagës vinë në Kosovë dhe sillen sikur institucionet tona nuk ekzistojnë. “Kur vijnë ata këtu, si kapadai, gjoja një përcjellje, siç e kemi parë në disa raste, e shfaqin sjelljen, s’lënë asnjë mundësi pa e demonstruar sjelljen. Një shtet normal nuk do ta pranonte një gjë të tillë, do t’u thoshte: ne marrim përgjegjësi këtu”, u shpreh ai.
Limaj gjithashtu kritikoi institucionet e Kosovës për mosushtrimin e autoritetit të tyre në këto raste. “Kur vijnë ata, suspendohen institucionet tona. Shteti është suspenduar sot komplet dhe ne jemi spektatorë. Krejt çka na mbetet është të vijmë në studio, të vajtojmë, të shkruajmë statuse, e shteti hesht”, deklaroi Limaj.
Këto deklarata erdhën pas vizitës së Jakup Krasniqit në Kosovë, ku ai qëndroi për disa orë pranë familjarëve të tij dhe bashkëshortes së sëmurë, nën përcjelljen e zyrtarëve të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Jakup Krasniqi, një figurë e njohur politike, arriti në shtëpinë e tij në Prishtinë, duke shënuar një moment të veçantë pas vizitës humanitare të autorizuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

