Kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri, deklaroi pas raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar se nuk do ta politizojë rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe se ai dhe stafi i tij nuk kanë dhënë koment publik para se të deklarohen para organeve kompetente. Ai theksoi se “rasti është tepër tragjik për t’u politizuar”.
Mbledhja e Komisionit Hetimor nisi në orën 08:30, ndërsa intervistimet e dëshmitarëve ishin parashikuar të fillonin nga ora 09:30. Dëshmitarët e ftuar për t’u intervistuar përfshijnë Toska Gegën, Durim Kelmendin, Shpat Morinën, Shpresa Lukajn dhe vetë Gazmend Muhaxherin. Komisionin e kryeson Burim Ramadani i AAK-së, ndërsa zëvendëskryesues është Adnan Rrustemi i LVV-së. Anëtarë të komisionit janë nga LVV-ja Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelinë Tërshani; nga PDK-ja Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani; dhe nga LDK-ja Doarsa Kica-Xhelili.
Gjatë mbledhjes u shënuan edhe përplasje verbale mes deputetit të PDK-së Eman Rrahmani dhe anëtarit të Komisionit nga VV-ja Armend Baloku. Rrahmani pati një vërejtje lidhur me ekspertët, duke thënë: “Sa i përket ekspertëve, eksperti Skënder Kandiq duhet të na tregojë nëse nuk ka konflikt interesi; unë, sa e di, kanë qenë pjesë e QPS-së atje”. Eksperti Skënder Kandiq u shpreh se “Unë para luftës kam punuar me QPS, pas luftës kam qenë drejtor në spitalin regjional, nuk kam asnjë konflikt interesi”.
Toska Gega kërkoi që dëgjimi të mbahet me dyer të mbyllura, duke argumentuar se është në pyetje një i mitur: “E kam një kërkesë që komisioni të mbahet me dyer të mbyllura, për arsye se është në pyetje një i mitur, rasti është shumë i ndjeshëm”. Deputeti Adnan Rrustemi propozoi që dëgjimi të jetë i hapur për pyetje të përgjithshme dhe i mbyllur kur diskutohen çështjet për të miturin.
Para dhe gjatë intervistimeve, aktivistët e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist zhvilluan një aksion para Kuvendit. Aktivistja Qëndresa Hyseni deklaroi se protestat do të vazhdojnë derisa të ketë përgjegjësi dhe ndjekje penale për zyrtarët që dyshohen se kanë dështuar në detyrë: “Andaj sot jemi këtu për t’iu treguar se ne nuk do të ndalemi deri në momentin që kërkesat tona …”.
#ArlindaZekaj #KomisionHetimor #Muhaxheri #Drejtësi

