Buxheti i shtetit për vitin 2027 pritet të sjellë përfitime të mëtejshme për pensionistët me të ardhura më të ulëta. Eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli deklaroi se mbështetja financiare për këtë kategori do të rritet në vazhdimësi nga viti në vit dhe se masa do të nisë të vlejë nga 1 janari për pensionistët me të ardhura nën 40 mijë lekë.
Sipas Çoçolit, pensionistët që marrin më pak se 40 mijë lekë do të përfitojnë çdo muaj nga kjo paketë, e cila synon të lehtësojë ekonominë familjare të shumicës së pensionistëve. Ai theksoi gjithashtu se jashtë kësaj skeme mbeten rreth 90 mijë pensionistë, të cilët kanë të ardhura mujore mbi 40 mijë lekë.
Në fjalën e tij Çoçoli vuri në dukje: “Është një rritje konstante dhe do të shtohet nga viti në vit. Për pensionet nën 40 mijë lekë, çdo muaj, nga 1 janari do të ketë përfitime. Kjo paketë ndihmon shumicën e pensionistëve, janë të përjashtuar vetëm një pjesë rreth 90 mijë pensionistë të cilët marrin më shumë se 40 mijë lekë.” Ai shtoi se skema e pensioneve mbetet defiçitare dhe se masa përbën një formë mbrojtjeje më të hershme për pensionistët, por nuk i zgjidh të gjitha nevojat: “Është një mbrojtje më e hershme për pensionistët, nuk e vë në diskutim se nuk mjafton. Madje, mendoj se duhet të shikohet ndonjë mundësi edhe për atë kategori pensionistësh që janë të përjashtuar, sepse kanë pensione pak më të larta.”
Çoçoli përfundoi se me buxhetin 2027 është bërë ajo që duhet, por se mund të bëhet edhe më shumë në vazhdim, pasi indeksimi dhe bonusi pritet të ndikojnë në konsum duke dërguar drejtpërdrejt lekët te qytetarët.

