Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua më 6 nëntor në Bukuresht me ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Rumanisë, Dan Neculăescu. Në qendër të bisedimeve ishte rikonfirmimi i angazhimit për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe përforcimi i mbështetjes së Rumanisë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
Gjatë takimit, homologët rikonfirmuan fokusin në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare dhe në shfrytëzimin e potencialit të përbashkët. Hoxha vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Rumanisë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian në tërësi dhe theksoi nevojën për avancim të integrimit evropian.
“Së bashku, mbetemi të angazhuar për të çuar përpara integrimin evropian dhe për të forcuar sigurinë, stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor”, tha ministri Hoxha, duke nënvizuar edhe rëndësinë e unitetit ndër aleatët dhe koordinimit më të ngushtë brenda NATO-s.
Hoxha gjithashtu theksoi mbështetjen e palëkundur për Ukrainën, ndërsa të dy homologët shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet kryesore të sigurisë në rajon dhe në arenën ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm rikonfirmoi solidaritetin e Shqipërisë me Rumaninë përballë sfidave të sigurisë në rajonin e Detit të Zi dhe vendosmërinë për të punuar ngushtësisht në mbrojtjen e sigurisë së përbashkët evropiane dhe euroatlantike.
Si pjesë e vizitës së tij në Bukuresht, Hoxha zhvilloi gjithashtu një takim me Presidentin e Senatit të Rumanisë, me të cilin diskutoi për mbështetjen rumune ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe për forcimin e bashkëpunimit institucional. Takimet pasqyrojnë një intensifikim të dialogut politik dhe të përpjekjeve për të zgjerojë bashkëpunimin ekonomik dhe të sigurisë ndërmjet dy vendeve. #Bashkepunim #BE #Siguri

