Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi se një takim i ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zhvillohet vetëm pasi të krijohen institucionet e reja në Beograd, të dala nga zgjedhjet e fundit. Këtë ajo e tha në një konferencë për media në Bruksel, duke theksuar se procesi varet nga formimi i qeverisë së re në Serbi.

Kallas shpjegoi se zgjedhjet në Kosovë dhe më pas në Serbi kanë pamundësuar vazhdimin e takimeve trepalëshe, megjithëse, sipas saj, liderët e të dyja vendeve kishin zotuar se do të uleshin së bashku. Ajo tha: “Tani, në Serbi kemi pasur zgjedhje dhe duhet të shohim që qeveria të formohet. Por mund t’ju siguroj se jam e gatshme të angazhohem dhe do të angazhohem me ta, ashtu siç kam bërë deri më tani me autoritetet, në mënyrë që ta çojmë përpara këtë proces. Sepse është e vërtetë se kjo është e nevojshme që të dyja palët të përparojnë në rrugën e integrimit evropian”.

Përfaqësuesja e BE-së nënvizoi gjithashtu se ka pasur përgatitje për një takim mes palëve dhe se ai proces ishte i ndihmuar nga një përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogun Beograd–Prishtinë, i cili po punon intensivisht. “Së pari, kam pasur shumë takime të nivelit të lartë, si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Gjithashtu, kam marrë premtimin nga të dyja palët, nga liderët e tyre, që të ulemi së bashku, ne të tre. Kemi pasur edhe përgatitje për atë takim, sepse kemi një përfaqësues të posaçëm të BE-së për dialogun Beograd–Prishtinë, i cili po punon shumë, shumë intensivisht”, tha Kallas.

Që kur Kallas mori drejtimin e diplomacisë evropiane, nuk është mbajtur takim i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo vuri në dukje se normalizimi i marrëdhënieve mes të dy vendeve është kyç për përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

#Kosovë #Serbi #BashkimiEuropian