Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ndaj projektbuxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2027, të paraqitur si rreth 4.27 miliardë euro, duke vënë në dukje se madhësia e tij nuk mjafton nëse strukturat e shpenzimeve nuk orientohen drejt zhvillimit ekonomik dhe rritjes së prodhimit vendor.

Sipas analizës së AKB-së, projekti i buxhetit tregon një orientim të madh drejt shpenzimeve për paga, subvencione dhe transfere, pa një program të fuqishëm zhvillimor për sektorin privat, importues dhe eksportues. AKB-së i shqetëson veçanërisht zvogëlimi i parashikuar i buxhetit të Ministrisë së Ekonomisë nga rreth 79 milionë euro në 23.4 milionë euro, si dhe realizimi i vetëm 37% të investimeve kapitale gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, çka, sipas saj, tregon probleme në aftësinë institucionale për zbatimin e projekteve.

Aleanca kërkon që gjatë shqyrtimit dhe miratimit të Buxhetit 2027 të përfshihen prioritetet konkrete: krijimi i një fondi zhvillimor për prodhimin vendor dhe ndërmarrjet prodhuese; mbështetje financiare më e madhe për eksportuesit dhe produktet “Made in Kosova”; lehtësime fiskale dhe stimuj për investimet e reja private dhe industriale; masa për uljen e kostos së energjisë dhe rritjen e sigurisë energjetike; rritje të realizimit të investimeve kapitale me përgjegjësi dhe afate konkrete; dhe mbështetje më e fuqishme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

AKB-ja thekson se nuk kundërshton rritjen e pagave, pensioneve dhe mbështetjes sociale, por kërkon që këto politika të mbështeten në një ekonomi prodhuese dhe një sektor privat më të fuqishëm. “Kosovës i duhet buxhet edhe më i madh se 4.27 miliardë eurosh. Por Kosovës i duhet më shumë prodhim, më shumë eksporte, më shumë investime dhe më shumë vende pune”, tha Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve.