Senatori republikan Ron Johnson komentoi rezultatet e zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, duke e përshkruar mbrëmjen si një periudhë të vështirë për Partinë Republikane. Johnson, që përfaqëson Wisconsinin në Senatin amerikan që prej vitit 2011 dhe nuk ishte kandidat për rizgjedhje në këto zgjedhje, vlerësoi se rezultatet janë “jo e mirë, aspak e mirë”.
Ai përmendi faktorë që, sipas tij, kanë ndikuar në perceptimin e votuesve ndaj administratës amerikane, duke vënë në dukje luftën në Iran dhe rritjen e çmimeve të karburantit. Johnson tha se këto çështje kanë ndikuar negativisht në reagimin e elektoratit ndaj partisë së tij në këto zgjedhje të mesmandatit.
I pyetur nëse presidenti Donald Trump mban përgjegjësi për humbjet e republikanëve, senatori theksoi se zgjedhjet e mesmandatit tradicionalisht shërbejnë si një vlerësim për administratën në pushtet. Ai mbrojti disa prej politikave të Trumpit, përfshirë kontrollin e kufirit dhe përpjekjet për frenimin e inflacionit, ndërsa kritikoi atë që e cilësoi si paragjykim liberal në disa media kryesore amerikane.
Megjithatë, Johnson pranoi se presidenti mund të ketë ndikuar negativisht në rezultatet e partisë së tij. “Presidenti Trump i tha elektoratit të pretendonte sikur emri i tij ishte në fletëvotim. Me sa duket, ata e besuan fjalën e tij dhe ky ka qenë rezultati”, deklaroi senatori republikan.
#ZgjedhjetMesmandit #RonJohnson #Wisconsin

